Sport Shqiptar

Krasniqi: Kemi rritur buxhetin e KOK-ut për pothuajse 100 %

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, vitin 2022 e ka shpallur tejet të suksesshëm, duke thënë se buxheti është rritur për pothuajse 100 për qind, të hyra këto që shkojnë kryesisht për sportistë dhe aktivitetet e organizatës në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

KOK-u ka mbajtur sonte Asamblenë e Punës për vitin 2022. Të pranishëm në Asamblenë e mbajtur kanë qenë 103 delegatë nga 113.

Kemi rritur buxhetin e KOK-ut për pothuajse 100 % nga viti paraprak 2021, rritje kjo që do të shkojë për sportistët, trajnerët dhe aktivitetet e ndryshme… Për herë të parë Bordi Ekzekutiv ka vendosur të ndajë bursa edhe për trajnerët, ku gjashtë trajnerët më të suksesshëm do të marrin bursa çdo muaj deri në Paris 2024. Kemi rritur vlerën e bursave të 22 sportistëve të cilët synojnë normat olimpike… Kemi ngritur numrin e bursistëve ‘Shpresa Olimpike 2023’ nga 25 në 32, të cilët mbështeten me bursa mujore direkt nga të ardhurat e KOK-ut”, ka thënë Krasniqi.

Ai është shprehur se KOK-u ka fituar për herë të parë projekte në Bashkimin Evropian përmes programeve të Erasmus+, dhe se ka filluar hartimi i planit strategjik për periudhën 2023-2028.

Në emër të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, ka folur Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit, i cili ka vlerësuar bashkëpunimin me KOK-un dhe federatat sportive, derisa ka uruar që KOK të realizojë të gjitha projektet e parapara sipas planit të veprimit.

/Shqip.com