Lajme

Krasniqi: Ka pasur vende pune të panevojshëm, është reduktuar numri nga 500 në 300

Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës ka ulur në 300 numrin e titujve të punës, nga 500 sa ishin, ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit teknik të Telekomit, Halil Krasniqi,Krasniqi ka thënë se në Telekom janë punësuar njerëz që me profesion janë muzikantë, piktorë e të tjera, që s’kishin të bënin me punët në këtë ndërmarrje.

Për normalizimin e numrit të punëtorëve, menaxhmenti i ri i Telekomit së bashku me Qeverinë e Kosovës, ka krijuar pako dalëse.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit teknik të Telekomit, Halil Krasniqi

“Këto janë raste të rralla, por kjo e tregon fenomenin. Për ta normalizuar numrin e punëtorëve, Qeveria na ka ofruar dy pako. Pako A është për punëtorët që pensionohen gjatë viteve 2023 – 2026 të marrin 60 për qind të pagës bruto për vitet e mbetura dhe t’u paguhen po kaq edhe kontributet personale. Pako B është për punëtorët e lartpërmendur, pra ata që duan të largohen në mënyrë vullnetare. Ata do t’i marrin 24 rroga të plota. Por jo ata që janë të kualifikuar për punën në Telekom. Ata i mbajmë sepse na duhen”, ka thënë Krasniqi në “Java Sonte Me Rronin”.

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se këto pako s’janë bërë për t’i shantazhuar punëtorët.

“Sepse nëse zhvillohet Telekomi, ne do të kemi nevojë për këta punëtorë. Por jo në këtë gjendje”, ka thënë tutje ai.

Telekomi ka edhe 5 mijë lëndë aktive për degradime nga punëtorët, përveç çështjes së arbitrazheve dhe atyre gjyqësore, sipas Krasniqit, në këto konteste janë në pyetje katër milionë euro.

“Por ndaj Telekomit ka edhe borxhe. Telekomit i detyrohet 11 milionë euro një bankë e cila ka falimentuar. Pastaj ka edhe borxhe të vogla. Ka borxhe të këqija, 25 milionë euro që na detyrohen të tjerët”, përfundoi Krasniqi.