Krasniqi: Enver Zymberi ra heroikisht duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar, policin Enver Zymberi në 11 vjetorin e rënies së tij, dhe ditën e të gjithë policëve të Kosovës të rënë në detyrë.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se Zymberi ra heroikisht duke mbrojtur integritetin territorial.
“Sot, kujtojmë dhe nderojmë Heroin e Kosovës, policin shembullor Enver Zymberi. 11 vjet më parë, Enveri ra heroikisht në krye të detyrës, duke mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Në nderim të Enverit, sot shënojmë edhe Ditën e të gjithë policëve të Kosovës të rënë në detyrë që prej themelimit të Policisë tone”, shkroi Krasniqi.

Ai tha se si qytetarë dhe si shtet u janë mirënjohës Policisë për punën e palodhshme.
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se historia e shtetndërtimit të Kosovës, e mban emrin e policit të vrarë Enver Zymberit.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka treguar se me rastin e përvjetorit të vrasjes së Zymberit së bashku me kolegët e tij polic kanë shkuar në vendin ku është vrarë duke vendosur edhe buqeta lulesh.
“Në 11 vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit nga strukturat kriminale të drejtuara nga Serbia, së bashku me kolegët e tij nga Policia e Kosovës ishim në vendin e rënies së heroit ku vendosëm buqetë me lule, në rrugën nacionale që lidhë Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç. Historia e shtetndërtimit tonë mbanë emrin e Enver Zymberit, si dëshmor në përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tone”, shkroi Sveçla.
Po ashtu, Sveçla ka thënë se duhet të kërkohet drejtësi për Zymberin, si dhe e ka quajtur atë shembull për gjeneratat e Policisë.

“Të gjithë ne, Policia e Kosovës dhe kolegët e tij bartin kujtime e krenari për Enverin duke rikujtuar po ashtu të gjithë ne thirrjen për drejtësi për vrasjen e tij. Gjeneratat e Policisë kanë shembullin më të mirë të një zyrtari policor, që nuk hoqi dorë nga betimi i tij si polic deri në momentet e fundit të jetës së tij”.
Me këtë rast kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar rënien e policit, Enver Zymeri.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti shkruan se me 26 korrik të vitit 2011, gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, ra dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.
Kurti tha se ai u vra nga struktura kriminale serbe.
“Në kronologjinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, disa data janë të shënjuara edhe me emra të përveçëm, sikur 26 korriku i vitit 2011, kur gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, pati rënë dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi. Ai u vra nga struktura kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë”.
Lexo edhe:
Sot shënohet dita memoriale e policëve të rënë në krye të detyrës

Ndryshe, një vit më parë Qeveria e Kosovës ka dhënë mendimin e saj për nismën legjislative të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Qeveria ka propozuar që krahas 24 Qershorit si Dita Memoriale e komunitetit egjiptian në këtë projektligj të shtohet edhe 26 Korriku si Dita e Policëve të rënë në kryerjen e detyrës.
26 korriku është data kur është vrarë polici Enver Zymeri, gjatë një aksioni në veri të vendit.
Më 27 korrik 2021 është zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës.
Lexo edhe:
Për ditën e policëve të rënë në krye të detyrës, Policia bllokon këtë rrugë të Prishtinës
Për nderë të ditës së policëve të rënë në krye të detyrës, Policia e Kosovës ka bllokuar rrugën “Luan Haradinaj” në kryeqytet.

Kjo rrugë ka qenë e bllokuar nga objekti i Kryeprokurorit të Shtetit deri te objekti i Komisonit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa para objektit të Policisë është paraparë një aktivitet në nderim të policëve të rënë në detyrë./Shqip.com