Lajme

Krasniqi: Dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për institucionet

Memli Krasniqi - kryetar i PDK-së
Memli Krasniqi - kryetar i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet shtetërorë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi reagoi lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.

“E kam thënë ditë më parë, po e përsëris edhe sonte: dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejtë. Pa kompromis!”, shkroi Krasniqi.

Krasniqi e ka quajtur mizore dhe çnjerëzore këtë krim në oborrin e QKUK-së.

“Tragjike, mizore, çnjerëzore! Pa fjalë nga krimi në QKUK, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij shtatëzënë. Ngushëllimet më të thella familjes për humbjen e familjares së tyre. Megjithëse është vështirë të gjendet dënim që shpaguan këtë krim makabër, ftoj organet e drejtësisë të reagojnë me tërë fuqinë dhe kompetencën e tyre ndaj autorit”.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda oborrit të QKUK-së.

Lidhur më këtë ngjarje për Shqip.com nga Policia e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me rastin.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë Flora Ahmeti për Shqip.com.

Lexo edhe:

Vritet një person në oborrin e QKUK-së

Po ashtu Ahmeti ka bërë të ditur se aktualisht policia në koordinim me prokurorin e  shtetit ka nisur një hetim  dhe  po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes.

/Shqip.com