Lajme

Krasniqi-deputetëve të VV-së: Nëse keni presion nga Kurti po votojmë fshehtas për Trustin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në foltoren e Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka ftuar deputetët e Vetëvendosjes që të votojnë Trustin.

Krasniqi, ka propozuar edhe mundësinë e votimit të Projektligjit të Trustit në mënyrë të fshehtë.

Ky propozim ka ardhur për arsye se Krasniqi mendon që deputetët e shumicës parlamentare mund të kenë presion nga kryeministri Albin Kurti.

“E di që kur je deputet i shumicës nuk është e lehtë. Kam qenë edhe vet deputet i shumicës, kam qenë edhe kryetar i GP, e di që vjen kryetari i Grupit ose kryeministri, thotë s’bon por unë sinqerisht sot ju ftoj si deputetë të qytetarëve, të atyre që ua kanë dhënë mandatin dhe ju kanë sjellë këtu”, tha Krasniqi.

Krasniqi tutje iu tha deputetëve të VV-së, se Kurti i ka futur në listat zgjedhore por qytetarët i kanë bërë ata deputetë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Kryeministri ju ka fut në listë, por deputetë ju kanë bërë votuesit tuaj, qytetarët tuaj, ata që kanë nevojë sot për juve dhe votën e secilit prej nesh. Guxoni sot, ose nëse mendoni që e keni më lehtë hajde po propozojmë mocion për votim të fshehtë nëse doni me votu, sepse keni presion”.

Tutje Krasniqi ka thënë se deputetët e VV-së kanë guxuar të votojnë për Kodin Civil sepse e kanë dëgjuar ndërgjegjen.

Ai i fton kolegët që të dëgjojnë ndërgjegjen edhe për qytetarët e Kosovës për ta votuar Trustin./Shqip.com