Krasniqi – Deputetëve të Parlamentit Evropian: Në Bruksel të ngritet çështja e diskriminimit të shqiptarëve në Preshevë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga deputetët e Parlamentit Evropian që të ngrisin çështjen e largimit të shqiptarëve të Preshevës nga regjistrat civil dhe fshirjen e adresave të vendbanimeve të tyre nga shteti serb, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian për zgjedhjet lokale i kanë përcjellur mesazhin se vlerësojnë që ky mision është vlerë e shtuar e këtij procesi.

“Nga deputetët e Parlamentit Evropian, kërkova që në Bruksel të ngrisin çështjen e diskriminimit të shqiptarëve të Luginës Preshevës, veçanërisht për largimin e tyre nga regjistrat civil dhe fshirjen e adresave të vendbanimeve të tyre nga shteti serb”, thuhet ndër tjerash në postimin e tij.
Tutje, Krasniqi thotë se me gjetjet dhe rekomandimet e saj në proceset zgjedhore, misioni i Parlamentit Evropian ka ndihmuar Kosovën që sot të jetë shembulli më i mirë për organizimin e zgjedhjeve në rajon./SHQIP.com