Lajme

Krasniqi: Dënim i rëndë, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar se dënimi për Salih Mustafën është i rëndë dhe shpreson se do të korrigjohet në shkallën e dytë, e kjo do dëshmonte paanshmërinë e Gjykatës Speciale.

“Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës.

Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, ka shkruar Krasniqi në reagimin e tij.

Ai ka kujtuar fjalës e Mustafës para trupit gjykues, duke theksuar se realitetin e historisë së Kosovës, askush nuk mund ta ndryshoj.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare.

/Shqip.com