Lajme

Krasniqi: Demaçi jetoi me idealin që kombi është mbi të gjitha

Memli Krasniqi - Kryetar i PDK-së
Memli Krasniqi - Kryetar i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kujtuar veprimtarin dhe intelektualin, Adem Demaçi në pesëvjetorin e vdekjes së tij.

Në një postim në Facebook, i pari i PDK-së ka thënë se Adem Demaçi jetoi me idealin që kombi është mbi të gjitha, që, sipas tij, e përmbushi atë ideal më shumë se çdokush tjetër.

“Unë, edhe sikur të jetoja për së dyti, këtë rrugë do ta zgjidhja, sepse edukata e nënës, mësuesve, arsimtarëve të mi, ka qenë në frymën që atdheu, kombi është mbi të gjitha” – kështu deklaronte Adem Demaçi në një intervistë dhënë pas luftës në Kosovë.

“Të gjithë e dimë se kjo nuk ishte vetëm një deklaratë, por, një amanet i përmbushur. Përgjatë një jete me sakrifica, Adem Demaçi jetoi me dhe për atë ideal, duke e përmbushur dhe arritur më shumë se sa mund të pritet nga çdo njeri tjetër”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë:

“Unë, edhe sikur të jetoja për së dyti, këtë rrugë do ta zgjidhja, sepse edukata e nënës, mësuesve, arsimtarëve të mi, ka qenë në frymën që atdheu, kombi është mbi të gjitha” – kështu deklaronte Adem Demaçi në një intervistë dhënë pas luftës në Kosovë.

Të gjithë e dimë se kjo nuk ishte vetëm një deklaratë, por, një amanet i përmbushur. Përgjatë një jete me sakrifica, Adem Demaçi jetoi me dhe për atë ideal, duke e përmbushur dhe arritur më shumë se sa mund të pritet nga çdo njeri tjetër.

Prandaj, kur pesë vite më parë ne humbëm një nga personalitetet më të veçanta dhe më të guximshme të popullit tonë, ai u largua vetëm fizikisht, sepse, tashmë Adem Demaçi u përket epokave.

Nëpërmjet karakterit dhe vullnetit të palëkundur për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, Baca Adem e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje, në çdo individ.

Personalisht, edhe unë jam një nga miliona qytetarë shqiptarë të cilët janë frymëzuar nga jeta e Adem Demaçit. Meqë nuk do të kemi një personalitet të dytë si ai, na takon neve të përcjellim sa më mirë shembullin që ai dha: Të marrim vendime për të udhëhequr jo nga urrejtja, por, nga dashuria dhe të përpiqemi për një të ardhme që është e denjë për sakrificën e tij.

Prandaj, sot, në vend të përkujtimit, le të jemi falënderues që Adem Demaçi ishte pjesë e kombit tonë dhe jetoi për ne e mes nesh.

Një njeri që mori historinë në duart e tij dhe përkuli harkun moral të universit drejt drejtësisë.

Zoti e bekoftë kujtimin për ty, Bac!

Përjetësisht në zemrat dhe mendjet tona!

/Shqip.com