Lajme

Krasniqi: Bombardimet e NATO-s gjunjëzuan kasapin e Ballkanit

Memli Krasniqi

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar se sot shënojmë 24-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi, të cilat, për 78 ditë gjunjëzuan kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç dhe aparatin e tij kriminal.

Sipas tij, kjo ndërhyrje, e cila erdhi si rrjedhojë e përpjekjeve, kërkesës dhe rezistencës së popullit tonë për liri, përfshirë luftën e drejtë dhe të guximshme të UÇK-së, i dha fund një regjimi gjenocidal duke hapur epokën e ëndërruar të lirisë për ne, njofton Klan Kosova.

“Ky kapitull, kjo shpresë e re, ndihmoi çlirimin, pavarësinë dhe krijimin e shtetit tonë.

Prandaj, u jemi përjetësisht mirënjohës aleatëve tanë ndërkombëtarë, shteteve anëtare të NATO-s, të cilat 24 vite më parë realizuan këtë mision fisnik dhe humanitar. Faleminderit – dje, sot, nesër, përgjithmonë”, ka shkruar Krasniqi.

/Shqip.com