Lajme

Krasniqi: Jemi të gatshëm të krijojmë Këshillin Nacional të serbëve në Kosovë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i është kundërpërgjigjur kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se Serbia është vendi me të drejtat më të mëdha për pakicat duke marrë shembull këshillin kombëtar të pakicave.

Për këtë, Krasniqi ka thënë se Kosova është e gatshme të zbatojë një mekanizëm të tillë për komunitetin serb në Kosovë.

Megjithatë, ai ka thënë se Kushtetua, si dhe praktikat tregojnë që Kosova ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet

“Në besojmë që Kushtetuta dhe praktikat tona në Kosovë ofrojnë të drejtat më të avancuara në rajon dhe Evropë por nëse Serbia mendon se është shembulli dhe modeli më i mirë për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, atëherë ne jemi të gatshëm që të dëgjojmë, mësojmë më shumë për Këshillin Kombëtar në Serbi, ashtu që të zbatojmë një mekanizëm të tillë për komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi në një konferencë për media, ka pyetur kryeministren e Serbisë, nëse është e bindur që të drejtat e komuniteteve pakicë në Serbi janë më të avancuara se ato në Kosovë, duke shtuar Kosova është e gatshme të diskutojë mundësinë e krijimit të këshillit nacional.

Në fund të javës së kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak dhe shqiptar që jetojnë në Serbi.

Të njëjtit janë shprehur të pakënaqur me statusin e tyre atje duke kërkuar reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë.

Si reagim ndaj kësaj, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq kishte deklaruar se Serbia është vend më të drejtat më të mëdha për pakicat duke përmendur këshillin kombëtar si mekanizëm të mirë të respektimit të të drejtave të tyre./KP

/Shqip.com