Lajme

Krasniqi: 76.8 % të qytetarëve nuk janë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës

Memli Krasniqi - Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bazuar në publikimin më të ri të Pulsit Publik, realizuar nga UNDP dhe financuar nga USAID, tha se 76.8 për qind e qytetarëve nuk janë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës.

Krasniqi, tha se kjo dëshmon urgjencën e “ndërrimit të drejtimit politik që ka marrë vendi, por, i cili nuk mund të bëhet pa ndërrimin e Qeverisë”

Krasniqi tha se “rruga e rrezikshme” në të cilën Qeveria “e ka futur” vendin nuk është problemi i vetëm për qytetarët sepse sipas tij, papunësia, varfëria, inflacioni, çmimet e larta të produkteve esencial dhe shërbimet shëndetësore janë renditur si pesë problemet më të mëdha sociale.

“Kjo pakënaqësi qytetare, e dëshmuar edhe në pasoja reale për shtetin tonë, përmes masave dhe sanksioneve nga aleatët tanë, duhet të adresohet urgjentisht. Kjo mund të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do t’i sillnin vendit një Qeveri të përgjegjshme dhe kredibile, e cila, përmes veprimeve të saj, do ta rikthente Kosovën në drejtimin e duhur politik – drejt integrimit të paalternativë euro-atlantik”, ka shkruar tutje ai.

/Shqip.com