Lajme

Krasniqi: 24 vjet pas luftës, vetëm një i dënuar për dhunim seksual në Kosovë

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi
E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman, e konsideron dëshpëruese mosndëshkimin e kriminelëve serbë për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit. Ajo deklaron se për krimet e kryera në Kosovë nga serbët, më shumë shqiptarët po ballafaqohen me burgim.

Krasniqi për KosovaPress thotë se gratë e burrat e mbijetuar nga ky krim nuk kanë guxim as të aplikojnë për njohjen e statusit, nga frika se do të identifikohen.

Gruaja e parë e cila foli publikisht për dhunimin seksual thotë se është e bindur se asnjëherë nuk do të gëzojë drejtësinë. Megjithatë, shprehet se ka forcën që zërin e saj ta ngre për të mbijetuarat e tjera.

“Lënda ime është tash lëndë e mbyllur, gjyqi suprem e ka marrë vendimin, pala-viktima nuk ka të drejtë të ankohet. Gjyqi suprem e ka marrë vendimin, ata kanë dal të lirë”, deklaron Krasniqi.

24 vjet pas përfundimit të luftës, Vasfija përmend faktin se është vetëm një i dënuar për dhunim seksual në Kosovë. Ajo thekson se kjo është dëshpëruese për viktimat, të cilat një ditë presin drejtësi për rastin e tyre.

Data kur ajo përjetoi tmerrin, 14 prill, tashmë zyrtarisht njihet si Dita për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Vasfija, e cila në kohën kur u dhunua në vitin 1999 ishte 16-vjeçare, tregon se ka edhe shumë vajza të tjera të cilat u keqtrajtuan shumë më të reja se ajo.

“Unë kam qenë 16-vjeçare ka që kanë qenë nëntëvjeçare, shtatëvjeçare, por nuk i ka mbijetuar dhunës dhe ajo ka vdekur. Rrëfimet janë të tmerrshme”, shton ajo.

Teksa flet për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale, Krasniqi thotë se shumë prej të mbijetuarve janë ballafaquar me refuzim nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi e cila ka rrëfyer historinë e saj edhe para Kongresit amerikan, deklaron se gratë ende përballen me stigmën se do të identifikohen.

Vasfije Krasniqi-Goodman në tetor të vitit 2018, rrëfeu publikisht mbi dhunën seksuale të ushtruar mbi të nga paraushtarakët serbë.

/Shqip.com