Lajme

KQZ: Nuk ka rekomandim për shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Komisioni Qendror Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë rekomandim për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor 2022.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e së shtunës të KQZ-së, vetëm një ditë pasi ky institucion mbajti mbledhje me dyer të mbyllura.

Sipas anëtarëve të KQZ-së janë institucionet e sigurisë që u takon të flasin për sigurinë.

Pas incidenteve që u regjistruan në veri të vendit pati thirrje për shtyrje të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Veri të caktuara më 18 dhjetor.

Për këtë, presidentja Vjosa Osmani është ende në pritje të raportit nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të marrë vendimin për shtyrje ose jo të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në veri të vendit.

SHBA, e cila dënoi dhunën në veri të vendit, tha se zgjedhjet duhet të shtyhen. Kësaj kërkese iu bashkëngjit edhe Gjermania.

/Shqip.com