Lajme

KQZ tregon për periudhën dhe mënyrën e votimit me postë

Komisioni Qendror Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha e votimit përmes postës për zgjedhjet lokale do të jetë nga 15 shtatori deri më 15 tetor 2021, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, KQZ ka treguar hapat që duhet ndërmarrur për të kryer këtë lloj votimi.

“Në fletëvotimin për Kryetar Komune, i cili është me kornizë ngjyrë të verdhë, ku janë të renditur emrat e kandidatëve, ju duhet të shënjoni vetëm një kandidat. Në fletëvotimin për Kuvend Komunal, i cili është me kornizë ngjyrë të kaltër, në anën e majtë, ju duhet të shënjoni vetëm një subjekt politik, kurse në anën e djathtë të tij duhet të shënjoni vetëm një kandidat”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se fletëvotimet për votim përmes postës duhet të arrijnë në KQZ deri më 15 tetor 2021.

Ndryshe, pas takimit të partive politike dhe presidentes, Vjosa Osmani, është vendosur që të mos ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 17 tetor./Shqip.com