Lajme

KQZ pezullon aktivitetet e planifikuara për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka pezulluar të gjitha aktivitetet të cilat janë paraparë të bëhen për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

Me 10 vota për, u mor ky vendim në mbledhjen e radhës të KQZ-së pas vendimit të presidentes së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës.

Krahas kësaj, në këtë mbledhje u dakordua edhe për planin e ri të punës për organizimin e zgjedhjeve.

Data e re për zgjedhjet në veri të Kosovës është caktuar 23 prill i vitit 2023 pas tensioneve të vazhdueshme në veri dhe sulmit ndaj zyrtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.

Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.

Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

/Shqip.com