Ekonomi

KPMShCK anulon vendimin e drejtorit të AAC-së për kryetarin e SPAAC

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka anuluar vendimin e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupit për ndryshimin e pozitës së kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil, Arianit Dobroshin.

Kjo është bërë e ditur nga kjo sindikatë përmes një njoftimi për media.

“Përmes Vendimit nr. 1187/2022 të datës 13 shkurt 2023, KPMSHCK ka anuluar Vendimin e Bujar Ejupit me të cilin kishte degraduar në pozitë Kryetarin e Sindikatës në AAC, z. Arianit Dobroshi. KPMSHCK po ashtu ka anuluar Akt Emërimin e lëshuar nga Safete Selmani, Menaxhere e Personelit në AAC e cila në bashkëveprim me Bujar Ejupin ka tentuar të dëmtojë në mënyrë të kundërligjshme z. Dobroshi. KPMSHCK ka vlerësuar se Vendimi i Bujar Ejupit është i pabazuar, në shpërputhje me parimin e sigurisë juridike dhe në shkelje të dispozitave materiale”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, thuhet se Bujar Ejupi po tenton për herë të dytë që të ia heq kredencialet e inspekyorit të rregullimit ekonomik, Arian Dobroshit.

“Me qëllim përndjekjeje, Ejupi ka nxjerrë 5 vendime dëmtuese ndaj Kryetarit të Sindikatës në AAC, 4 prej tyre gjatë vitit 2022. Vendimi i 5-të i Ejupit ndaj z. Dobroshi, i cili është në ankimim e sipër, është lëshuar më 30 dhjetor 2022 përmes të cilit poashtu për herë të dytë po tenton t’ia heq kredencialet e inspektorit të rregullimit ekonomik z. Dobroshi pas tentativës së dështuar vitin e kaluar, duke harruar se këto kredenciale janë fituar me mund e investim publik dhe se z. Dobroshi ushtron vazhdimisht funksionin e inspektorit që 5 vite”.

Prej 26 vendimeve që Ejupi i ka nxjerrur kundër anëtarëve të SPAAC, 20 prej tyre janë vlerësuar si të jashtëligjshme.

“Nga 26 vendime të cilat i ka nxjerrë Ejupi kundër anëtarëve të SPAAC, 20 janë anuluar nga KPMSHCK si të jashtëligjshme. I dëshpëruar që ndëshkimet sistematike ndaj anëtarëve të SPAAC nuk po i kanë sukses dhe i vendosur që të hakmerret ndaj Kryetarit të SPAAC, Bujar Ejupi kishte tentuar dy herë që ta ulë në pozitë z. Dobroshi gjatë vitit 2022 duke shpikur një arsye e cila që dy herë po dëshmohet si e kundërligjshme. Me tentativën e dytë për ta degraduar z. Dobroshi duke përdor të njëjtën arsye, Ejupi shpërfaqë motivin e tij hakmarrës.  Ky ndëshkim ka ardhur pas paraqitjes së z. Dobroshi në Komisionin për Barazi Gjinore në mbështetje të rastit të 5 grave profesioniste të AAC-së para këtij Komisioni”.

Në këtë njoftim thuhet se Bujar Ejupi ka për qëllim ose hakmarrjen ndaj operatorëve që i mbikqyrë ose anëtarëve të SPAAC që nuk i plotësojnë qëllimet e tij të kundërligjshme.

/Shqip.com