Lajme

KPK sërish kërkon nga Presidentja dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit

Foto ilustruese

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës iu ka drejtuar përsëri Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas njoftimit, kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim.

Njoftimi i plotë:

Në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se sot iu ka drejtuar Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës me kërkesë për dekretimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim.

Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend, prandaj KPK-ja thekson se shtetit dhe institucionit tonë i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore.

/Shqip.com