Lajme

KPK me deklaratë publike kundër vetingut, qasja e MD-së konsiderohet joprofesionale

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shprehur qëndrimin e vet institucional për të mos marrë pjesë në Grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, njofton Shqip.com.

Në një deklaratë publike të KPK-së thuhet se qëndrimi vjen si rrjedhojë e qasjes së kësaj ministrie, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e vetingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë.

KPK thotë se ky koncept-dokument nuk u është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial, për të cilët ka thënë se janë të painformuar me përmbajtjen finale të dokumentit.

“Prandaj, kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale. Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim”, thuhet në deklaratën publike të KPK-së.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion kushtetues mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të brendshme institucionale, të punojë në avancimin e sistemit prokurorial, gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve”, thuhet në njoftim.

Kundër një procesi të tillë ka dalë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili sikurse KPK-ja nuk dëshiron t’i nënshtrohet vetingut që nuk do të bëhej prej vetë tyre. /Shqip.com