Lajme

KPK i reagon Kurtit: Tendencë për ndërhyrje në punët e sistemit prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit lidhur me lirimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Përmes një reagimi për media, KPK ka vlerësuar se reagimet e Kurtit janë tendenca për të ndërhyrë në punët e sistemit prokurorial të Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, lidhur me vendimin ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, që është marrë pas kërkesë së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.  KPK vlerëson që reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Krahas kësaj, KPK-ja shpreh indinjatë ndaj kërkesës së Kurtit për të ditur emrin e prokurorit që ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj Pantiqit.

“Po ashtu, KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e Kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, nga se kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij.  Këshilli Prokurorial i Kosovës mbështet të gjitha vendimet e prokurorëve që janë të mbështetura në ligj, dhe ju bënë thirrje për të vazhduar punën e tyre të pavarur, profesionalisht dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur rreth ndryshimit të masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak, të ish-policit serb, të akuzuar për terrorizëm, Dejan Pantiq.

Ai ka thënë se është kureshtar të di se kush është prokurori që ka bërë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Pantiqit dhe cili gjyqtar e ka aprovuar.

“Kur ke akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka theksuar se ka qenë i informuar mbi gjendjen shëndetësore të ish-policit Pantiq, duke shtuar se i njëjti kishte qenë në grevë urie.

/Shqip.com