Lajme

KPK: Deklarimet e ministres Haxhiu të pamatura dhe joserioze

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një reagimi kanë deklaruar se publikimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Ligjin e Këshillit Prokurorial, të cilin e ka shpallur kundërkushtetues dhe e ka rrëzuar përfundimisht, vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet e shprehura publikisht të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës deklaron se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është keqpërdorur sërish fjala e lirë, keqpërdorim ky, i cili është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike dhe aq më tepër kur ai vjen nga zyrtarët më të lartë të shtetit.

Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se “më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së” dhe përtej saj, një zyrtare e lartë e Qeverisë, për çudi, nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Gjithashtu, KPK-ja, ka theksuar sistematikisht defektet e shprehura të Ekzekutivit lidhur me mosmarrjen parasysh të propozimeve të dala nga Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë ose jashtë tij, gjë që realisht përbënte hapur një tendencë për të cenuar pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese.

KPK-ja pohon se Gjykata Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese për mosinterferim politik, i cili cenon thelbësisht pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial.

/Shqip.com