Lajme

Kovaçevski në vitin 2021 kishte dhënë pëlqimin për rrugën “Adem Demaçi”

Përveç këshilltarëve të LSDM-së në Çair dhe në qytetin e Shkupit, vendimin për riemërimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair e kishte votuar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski nga roli i zv/ministrit të Financave në vitin 2021.

Qeveria me shumicë votash kishte dhënë pëlqimin e saj, për të gjitha emrat e propozuar, përfshirë edhe atë të “Adem Demaçit”. VMRO-DPMNE-ja thotë se Kovaçevski tani gënjen dhe manipulon.

Sot nga presioni i opinionit, i njëjti ai Kovaçevski i cili ka votuar ndryshimin e emrit “Brigada e Dytë Sulmuese e Maqedonisë” në “Adem Demaçi” kërkon nga Çairi, nëse do rrugë me atë emër, ta ndërtojë. Kjo qëndron në komunikatën e tyre. Kovaçevski të tregojë nëse turpërohet sot që ka votuar dhe tani fshihet dhe manipulon?”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Nga Kabineti i Kovaçevskit dy ditë më parë, u shprehën të pakënaqur me ndryshimin e emrit të rrugës në Çair. Nga atje thanë se “vetëqeverisja lokale është dashur që në periudhën e kaluar të bëjë punën e saj më me përkushtim dhe të ndërtojë një rrugë të re të cilën do ta emërtojë sipas procedurave ligjore”.

Nga Qeveria sot nuk u përgjigjën në pyetjen e Alsat nëse reagimi paraprak ka qenë rezultat i mungesës së informacionit për pëlqimin që po ky institucion ka dhënë dy vite më parë, për emërimin e kësaj rruge me po këtë emër.

LSDM-ja fajëson Mickoskin për të gjitha zhvillimet e fundit.

Kurse partitë tjera opozitare shqiptare dolën në mbrojtje të organizatorëve të vizitës së Kurtit.

Nëse ka ndonjë maqedonas që mendon se shqiptarët ndonjëherë do ta këndojnë “denes nad Makedonija se ragja”, ai ka probleme serioze të perceptimit të realitetit sepse deri sa ky shtet nuk e kupton realitetin multietnik por insiston në simbole shtetërore monoetnike maqedonase, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. E sa i takon shqetësimit të Presidentit Pendarovski, na duhet të theksojmë se ai me këtë reagim duke e sulmuar Albin Kurtin, si duket i vardiset BDI-së që ta mbështesë edhe për një kandidatur”, deklaroi Ohan Murtezani, Alternativa. /Alsat.mk

/Shqip.com