Lajme

KOSTT emëron kryeshefin e ri ekzekutiv

Bordi i drejtorëve të KOSTT, në mbledhjen e datës 6 tetor në mënyrë unanime ka vendosur që të emëroj kryeshefin e ri, Evatar Zeqirin.

Në njoftimin e shpërndarë në Facebook, KOSTT falenderon ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Sabri Musiqin për shërbimin dhe kontributin e tij, duke njoftuar se ai do të kthehet në pozitën e drejtorit të Operimit të Sistemit.

Ndërsa kryeshefi i ri, Evatar Zeqiri ka studiuar për Master në Administrim Publik (MPA) në Menaxhim Strategjik dhe Lidership, në Universitetin e Illinoisit Verior, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si bursist i programit për Lidership Transformues, program ky i bashkë financuar nga Qeveria Amerikane përmes USAID dhe Qeveria e Kosovës.

“Evetari ka përvojë në pozita menaxhuese në fusha si menaxhim biznesi, operacione, konsulencë, menaxhim projektesh, auditim, financa, kontabilitet dhe prokurim. Zt. Zeqiri sjell një përvojë të pasur dhe diverse nga sektori publik, privat, i ndërmarrjeve publike, sektori financiar si dhe organizatave ndërkombëtare  që punojnë në Kosovë. Ndër përvojat e ndryshme, ai ka punuar për disa vite në auditim të jashtëm tek Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë. Së fundmi ai ka punuar si Menaxher Financiar dhe i Administratës në një kompani me bazë në Zvicër duke implementuar një projekt disa vjeçar në sektorin e ujrave”, shkruan KOSTT në Facebook.

Në fjalën e tij, Evatar Zeqiri, tha se është i nderuar për besimin e dhënë dhe se do të përkushtohet maksimalisht të shtyej përpara misionin e KOSTT-it.

“Jam i nderuar me besimin që më është dhënë nga Bordi i Drejtorëve për të udhëhequr KOSTT-in, një ndërmarrje me rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në sektorin e energjisë. Me përkushtim maksimal do të shtyej përpara misionin e KOSTT në funksion të sigurisë së furnizimit me energji elektrike për shoqërinë dhe ekonominë vendore, operim të sigurtë dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit dhe të integruar në tregun rajonal dhe evropian”, tha Zeqiri./Shqip.com

/Shqip.com