Lajme

Kosovarët nga 22 shkurti mund të udhëtojnë pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, bëhet e ditur se data e hyrjes në fuqi të Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar me datën 11 janar të këtij viti do të hyjë në fuqi me datën 22 shkurt.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se të martën e 23 janarit është pranuar Nota Verbale nga Ministria e Jashtme e EBA-s.

“Për përfundimin me sukses të këtij procesi falënderoj Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, për kontributin e dhënë në arritjen e kësaj marrëveshjeje mes dy shteteve, Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, z. Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan si dhe homologun tim Abdullah bin Zayid Al Nahyan”, shkroi ajo.

“Kështu, me hapa të sigurt po fuqizojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe po arrijmë të zgjerojmë jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Vazhdojmë me lajme të mira”, shtoi ajo.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte bërë të ditur se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, ka pranuar propozimin e saj për heqjen e vizave për kosovarët.

Përmes një shkrimi në platformën X, Osmani ka thënë se marrëveshja ishte arritur gjatë takimit dypalësh në muajin e kaluar dhe “tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

/Shqip.com