Lajme

Kosova vendos sanksione ndaj 183 individëve dhe 26 entiteve të Bjellorusisë

Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve të Bjellorusisë që janë të lidhura me regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

Vendimi është marrë të mërkurën në mbledhjen e 61-të të qeverisë, njofton Zyra e Kryeministrit.

Këto sanksione, sipas ZKM-së, kanë të bëjnë me ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimi për individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vënë fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve të Bjellorusisë që janë të lidhura me regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko”, thuhet në komunikatën për media.

“Sanksionet konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës; ndalimin e udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe ndalimi për individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vënë fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara”.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, janë marrë tri vendime dhe gjashtë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Të gjitha vendimet i gjeni Këtu./SHQIP.com