Sport Shqiptar

Kosova skijon drejt EYOF Vuoikatti 2022, me tre garues

Komiteti Olimpik i Kosovës, të premten preznatoi ekipin olimpik, që do të përfaqësojë shtetin në EYOF Vuoikatti 2022.

Kiana Kryeziu, Arba Pupovci dhe Drin Kokaj, së bashku me trajnerët Agim Pupovci e Bujar Turjaka, shefin e misionit, Jeton Rudari, dhe përgjegjësi për media, Kushtrim Krasniqi – do jenë të pranishëm në Finlandë nga 20 deri më 25 mars, ku edhe do zhvillohet gara.

EYOF Vuoikatti logo

Në konferencën për shtyp, presidenti Ismet Krasniqi, tha se KOK-u ka bërë përgatitjet e nevojshme, dhe madje ka dërguar ekipin jashtë vendit.

“Pritshmëritë tona janë që sportistët të japin maksimumin dhe të kenë paraqitje sa më të mirë”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi.

Se kanë pritshmëri për rezultate të mira, e theksoi edhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, që njëherit është edhe nënpresident i KOK-ut.

Skitarët thanë se ndjejnë krenari dhe nder për të bartur ngjyrat e flamurit në një event si EYOF.

Ata do të garojnë në disiplinat sllallom dhe sllallom paralel.

Ekipi do të niset mbrëmjen e së premtes, nga Prishtina në Tiranë, më pas në Frankfurt dhe së fundmi në Vuokatti.

Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në evente të tilla, ku dy herat e kaluara ishin Sarajeva 2019 (Bosnje dhe Herzegovinë) dhe Erzurum 2017 (Turqi).