Lajme

“Kosova prin në rajon me numrin e rasteve me variantin Omicron”

Ilustrim.

Infektologu Shemsedin Dreshaj ka ngritur alarmin se Kosova prin në rajon sa i përket infektimeve me variantin e ri të COVID-19, Omicron.

Kjo pasi në Kosovë tashmë zyrtarisht janë regjistruar nëntë rastet e para të infektimit me këtë variant.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të marrë masa për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

“Me paraqitjen e nëntë rasteve me Omicron, kjo nënkupton se Kosova prin në regjion me infektimet nga varianti Omicron”.

“Realisht Ministria e Shëndetësisë bashkë me ekipet e saj do të duhet të marrin masa për të parandaluar përkeqësimin e situatës”, ka thënë ai.

Infektologu Dreshaj i cili është edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se nga mesi i shkurtit mund të ketë shtim të rasteve me Coronavirus në Kosovë.

Infektologu Shemsedin Dreshaj

Në anën tjetër, MSh-ja ka bërë të ditur se do të mbesin në fuqi masat e tanishme, por nëse rriten numrat mund të ketë ashpërsim të kufizimeve.

“Aktualisht në fuqi janë disa masa të cilat duhet të zbatohen në përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë, ndërsa në varësi prej aspekteve që u theksuan më lartë, Komisioni jep rekomandime nëse masat në fuqi janë të mjaftueshme, apo duhet ndryshuar diçka, qoftë në drejtim të shtrëngimit apo lirimit të tyre. Pra çdo lirim i masave lidhet me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për RTV Dukagjinin.

Ndërsa, drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj ka thënë se gjatë së martës do të ketë më shumë detaje në lidhje me situatën epidemiologjike në vend./SHQIP.com

Infektologu Arben Vishaj