Ekonomi

Kosova përfituese nga “Tregu i Përbashkët” i BE-së, me vlerë 4.2 miliardë euro

Kerstin Jorna dhe Rozeta Hajdari

Sot është nënshkruar në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel marrëveshja për përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.

Nënshkrimi është bërë nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari dhe drejtorja e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROW), Kerstin Jorna.

Sipas MINT-it, pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

“Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar.

Kjo do të thotë se bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve jo anëtare, që janë pjesëmarrëse të pjesshme ose të plota në këtë program”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

Programi “Tregu i Përbashkët” thuhet se do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program.

/Shqip.com