Lajme

Kosova përfiton mbi 100 milionë euro nga BE dhe Gjermania për ujërat e zeza dhe mbeturinat

Kosova ka përfituar mbi 100 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe për menaxhimin e mbeturinave.

Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, kjo marrëveshje e cila përbënë dy projekte është nënshkruar nga tri ministri të Kosovës.

“Kosova përfiton më shumë se 100 milionë euro grante nga BE-ja dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nënshkruan sot marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë euro për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta me KfW-në dhe BE-në”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Projekti për trajtimin e ujërave të zeza parashihet për rajonin e Prishtinës

“Projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive”.

Qeveria njofton edhe ndarjet e fondeve që janë bërë në mes Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë sa i përket projektit për ujërat e zeza.

“Projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë. Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht”.

Kurse, për projektin për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në Komunën e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës.

“Projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta. Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori gjerman në Kosovë z. Rohde, u shpreh se këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit.

/Shqip.com