Kosova nuk ndalet, siguron fitoren e katërt radhazi

Kosova ka shënuar fitoren e katërt radhazi në kuadër të “FIBA European Challanger”, shkruan Shqip.com.
Ata mposhtën Shqipërinë me rezultat të thellë 103:46 (24:11, 25:16, 25:12 dhe 29:7).
“Dardanët” e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë, me një seri prej 9:0 dhe vazhduan me lojë të mirë gjatë gjithë çerekut të parë, të cilën e fituan me rezultat 24:11.

Kuqezinjët ngushtuan shifrat në 28:20, por basketbollistët kosovar u shkëputën sërish, duke u treguar më të mirë, duke shkuar kështu në pushimin e pjesës së parë me rezultat 49:27.
Epërsia e lartë e krijuar nuk i ndali basketbollistët e Kosovës, të cilët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e tretë, të cilën e fituan 25:12, duke arritur epërsinë e lartë prej 74:39, rezultat ky pas 30 minutave lojë.
Në 10 minutat e fundit, Kosova e thelloi edhe më shumë epërsinë duke fituar me rezultat 103:46.

Lojtarët më të dalluar te Përfaqësuesja kosovare ishin Norik Binqe me 22 pikë, tetë kërcime e shtatë asisitime, Rron Dahsyla me 15 pikë e 11 kërcime dhe Dren Kastrati me 19 pikë.
Kosova në katër ndeshje regjistron po aq fitore, kurse Shqipëria ka një fitore dhe tri humbje./Shqip.com
