Lajme

Kosova nuk është as sot në agjendën e Kuvendit të Shqipërisë!

Kanë kaluar 12 ditë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovë, Afrim Bunjaku nga terroristët serbë në Zveçan. Grupi terrorist mëngjesin e të dielës së 24 shtatorit tentoi aneksimin e veriut të Kosovës. Mirëpo, Tirana zyrtare nuk ka ende një qëndrim zyrtar për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë, pavarësisht nga insistimi i grupimeve të opozitës, nuk ka ende në agjendë diskutimet për Kosovën. Një datë e caktuar për debat, në 12 tetor, pra pas një jave, duket e largët.

Sot diskutimet në Kuvend u dominuan nga sherri dhe përplasjet mes vetë demokratëve, pra mes krahut të Lulzim Bashës dhe atij që mbështet Gazment Bardhin e Sali Berishën, i pari i është bashkuar rishtazi të dytit. Ditët ikin, SHBA dhe BE kanë mbajtur qëndrime të forta, Parlamenti Europian ka miratuar gjithashtu një rezolutë, ndërsa Shqipëria është e vetmja që vazhdon të qëndrojë në heshtje, duke bërë sehir se çfarë do të ndodhë tjetër në veri.

Edhe njëherë tjetër, politika e Tiranës nuk arrin të bashkohet për çështje me interes kombëtar, siç është Kosova. Rendi i ditës së Kuvendit sot do të duhej të kishte nisur pikërisht me debatin për Kosovën, qoftë me miratimin e rezolutës, qoftë edhe me interpelancën parlamentare. Por një vullnet i kësaj natyre mungon.

Patriotizmi demonstrohet me vepra, politika dhe akte konkrete dhe jo me folklorizma për orekse të momentit sa herë luan kombëtarja shqiptare.

/Shqip.com