Lajme

Kosova nënshkruan marrëveshje me Slloveninë për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore

Ministri i Brednshë, Xhelal Sveçla dhe ai slloben Matej Toni

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Matej Toni të enjten kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

Marrëveshja rregullon kushtet kornizë për bashkëpunim në parandalimin e fatkeqësive dhe gatishmërinë për ofrimin vullnetar të ndihmës reciproke në rast fatkeqësish në territorin e palës tjetër, dhe forma të tjera të bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Bashkëpunimi midis palëve do të ndjekë parimet e reciprocitetit dhe do të kryhet brenda kapaciteteve të palëve”, thuhet në njoftim.

Me marrëveshjen e nënshkruar, bashkëpunimi mes dy vendeve do të zhvillohet në fusha të ndryshme.

Takimi para nënshkrimit të marrëveshjes.

Përveç mbrojtjes nga fatkeqësitë dhe ndihmës për shpëtimin dhe lehtësimin e fatkeqësive, marrëveshja gjithashtu parashikon bashkëpunim në shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike dhe transferimin e ekspertizës për mbrojtjen nga katastrofat, edukimin dhe trajnimin e personelit të përfshirë në aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve mbrojtëse dhe të shpëtimit.

Kosova dhe Sllovenia gjithashtu do të bashkëpunojnë edhe në informimin e njëri -tjetrit në lidhje me rreziqet e aksidenteve dhe pasojat e tyre.

Pas marrëveshjes, ministri Sveçla i shoqëruar nga zëvendësministri Gashani, ka zhvilluar një bisedë me ministrin Toni ku është diskutuar për rëndësinë e kësaj marrëveshje si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet dy shteteve. /Shqip.com