Lajme

Kosova ndalon importin e shpezëve të gjalla nga Shqipëria

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim ta ndalojë importin e shpezëve të gjalla nga Shqipëria, pas paraqitjes së gripit të shpezëve atje.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi tha ky vendim nuk është masë ndalesë apo ndonjë barrierë, por vetëm ka të bëjë me pengimin e përhapjes së virusit të gripit të shpezëve.

“Masa e ndalesës për import të shpezëve nga zona e Durrësit në Shqipëri është masë për të parandaluar përhapjen e gripit të shpezëve duke e ditur që është një sëmundje që ka përhapje të shpejtë”.

Ai shtoi se ky vendim nuk ka efekt negativ sa i përket qarkullimit tregtar për shkak se qarkullimet e tjera tregtare janë duke vazhduar normal tek autoritetet shqiptare.

Lamir Thaqi – AUV

“Nuk shoh që do të ketë efekt negativ sa i përket qarkullimit tregtar për shkak se qarkullimet e tjera tregtare janë duke vazhduar normal tek autoritetet shqiptare. Kufiri ka ngritur nivelin e kontrollit dhe janë duke u kontrolluar të gjitha ngarkesat e tjera”.

“Secili shtet në bazë të rregullave ndërkombëtare për shëndet të kafshëve ka për obligim që secilin rast të konfirmuar të përhapjes së këtij virusi duhet ta raportojë në UE dhe vetë Shqipëria e ka raportuar, edhe ne e kemi raportuar kur e kemi pasur si virus, dhe jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e shteteve përreth dhe shtetet e tjera për ta ndaluar përhapjen e shpejtë të këtij virusi”, është shprehur Thaçi.

Ai tha se AUV ka kontakt të vazhdueshëm edhe me fermerët edhe me Shoqatën e Shpezëtarëve, ku kanë urdhëruar që të marrin të gjitha veprimet.

Thaçi ka sqaruar se Kosova vitin e kaluar ka arritur që të parandalojë përhapjen e kësaj sëmundje falë angazhimit të të gjitha institucioneve përgjegjëse, prandaj edhe kërkohet kujdes.

Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë, më 20 mars e kishte konfirmuar rastin e parë të gripit të shpendëve H5N8.

Ky virus përhapet nga shpendët e egra dhe pak kohë më parë është konstatuar në dy vende fqinje në Maqedoni dhe Greqi./Shqip.com