Lajme

Kosova ndalon importin e shpezëve nga Shqipëria, shkak përhapja e gripit të shpezëve

Gripi i shpezëve

Kosova ka ndalur importin e kafshëve (shpezëve) nga Shqipëria, pasi përhapjes së Sëmundjes së Gripit të Shpezëve të tipit H5N8 në zonën e Durrësit.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, ka thënë për Shqip.com se ndalimi i importit të shpezëve ka ardhur bazuar në ligjin e veterinarisë dhe rregulloren për luftimin e kësaj sëmundje. 

“Është bërë ndalesa e importit nga shteti i Shqipërisë për importin e kafshëve të gjalla (shpezëve) kjo bazuar në ligjin e veterinarisë dhe rregulloren për luftimin e kësaj sëmundje. Si masë parandaluese”, ka thënë Thaçi.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi

Ai gjithashtu ka thënë se janë në kontakt me autoritetin shqiptarë për informata në vazhdimësi lidhur me përhapjen e kësaj sëmundje.

“Deri me tani njoftimi është në fuqi vetëm për ndalesë në një zonë të prekur të Shqipërisë. Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqenies se Kafshëve AUV është duke monitoruar situatën në rajon dhe vend, varësisht nga lajmërimet qe bëhen në OIE, veprohet sipas ligjit”, ka thënë ai.

Thaçi ndër të tjera ka treguar se ka pasur sasi të vogla importi të shpezëve dhe produkte nga shpezët, tani është ngritur vigjilenca në nivelet me të lartë në kontroll kufitarë veterinar.

“Secila ngarkesë që mund të vijë do t’i nënshtrohet kontrollit të detajuar. Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet shqiptare, si shtete vëllazërore dhe verifikimi për gjithçka bëhet mes dy autoriteteve, sipas praktikave të kontrollit ndërkufitar”, ka thënë zëdhënësi i AUV-it./Shqip.com