Lajme

“Kosova mund të detyrohet të jetë pjesë e ‘Open Ballkan'”

“Duke e parë që ‘Open Ballkan’ po përkrahet nga administrata amerikane, do të vijë një moment kur Kosova do të detyrohet të jetë pjesë e saj pa arritur të vendos kushtet e veta”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, sipas së cilit, të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet në Kosovë – deri te kjo e fundit –  kanë pasur qasje jo të duhur madje edhe populiste në raport me këtë nismë.

“Kosova pa vendosur për të thënë jo është dashur që të jetë pjesë e këtyre takimeve, të shoh si po trajtohet, cila është qasja dhe ta mbrojë interesin e vet”.

Valon Murati

Se Kosova nuk do të duhej t’i thoshte “JO” kësaj nisme mendon edhe Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri.

Ymeri ka theksuar se “refuzimi i Qeverisë që Kosova të bëhet pjesë e kësaj nisme bie ndesh me interesat e qytetarëve”.

Sipas tij, kundërshtimi i deritashëm i Qeverisë me përjashtim të argumenteve politike është i paqëndrueshëm.

“Mendoj që Kosova nuk duhet t’i thotë jo asnjë prej iniciativave rajonale. Është shumë më e rëndësishme që të jemi në tavolinë dhe t’i shtrojmë kushtet e mbrojtjen e interesave tona sesa të rrimë jashtë”, thotë ai për EO.

“Në anën tjetër për sa i përket idesë së ‘Open Ballkan’, pavarësisht se si ka nisur ajo dhe cila është mundësia e zbatimit të saj një gjë është faktuale në këtë drejtim që është në të mirën tonë e ajo është që në ‘Open Ballkan’, janë dy faktorë, e para është Serbia dhe e dyta është Shqipëria”.

Tutje, Ymeri shton se integrimet rajonale për Kosovën i kanë dy dobi; “një është rritja e tregut që është mundësi përfitimi ekonomik dhe tjetra është etablimi i një zone ekomomike shqiptare që është e mundshme vetëm në kuadër të integrimeve rajonale”.

“Refuzimi ynë kategorik që të bëhemi pjesë e një nisme të tillë rajonale mendoj që shkon ndesh edhe me interesat tona si Kosovë, por shkon ndesh edhe me interesat tona si qytetarë”.

“Qeveria Kurti deri tash ka qenë kundër dhe nuk ka marrë kurrfarë hapi që t’i bëhet bashkë kësaj nisme. Deri tash argumentet kundërshtuese që janë dëgjuar nga përfaqësuesit e Qeverisë kanë qenë kryesisht të natyrës ekonomike mendoj që nuk qëndrojnë për shkak se në njërën anë rritja e tregut është rritje e mundësive dhe i ka edhe rreziqet e veta”.

“Në këtë drejtim nuk mund të jetë më i dëmshëm ‘Open Ballkan’, krahasuar me tregun e përbashkët rajonal. Kundërshtimi i deritashëm i Qeverisë me përjashtim të argumenteve politike mendoj që është i paqëndrueshëm”./SHQIP.com

Visar Ymeri