Lajme

Kosova mbylli 2022-ën pa njohje, por lëvizi me aplikime për anëtarësim

Lajmi me Audio

Që nga fillimi i vitit 2022, politika e jashtme e Kosovës u karakterizua me mungesë njohjesh e anëtarësim në organizma ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e popullit kanë dhënë kritika për mënyrën se si ka funksionuar kjo fushatë, për të cilën kanë thënë se ka shumë të meta.

Partia më e madhe opozitare vlerëson se politika e jashtme, koncentrimin kryesor e ka në pasur dialogun me Serbinë.

“Politika e Jashtme e Kosovës, në qoftë se mund të thuhet që ka pasur politikë të tillë, kryesisht ka qenë e koncentruar në bisedimet me Serbinë dhe angazhimin e shteteve perëndimore që përmes negociatorëve të BE, të arrijnë një marrëveshje përfundimtare. Deri tani pothuajse s është arritur të nënshkruhet për shkaqet që dihen”, ka thënë për Shqip.com, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Haliti që është edhe zëvendëskryesues i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, thotë se 2023-a, do të jetë vit i sfidave.

“Angazhimi kryesor duhet të jetë miratimi i ligjeve që lehtësojnë investimet e jashtme, hapja e vendeve të punës, sigurimi i njohjes nga pesë vendet e BE-së që akoma se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, harmonizimi i kutikulave të mësimit të ciklit të ulët, të mesëm të lartë e akademik me kurrikulat e vendeve të BE. Përmirësimi i kushteve në institucionet shëndetësore, që domosdoshmërish imponon miratimin e Ligjit për sigurimin shëndetësorë dhe themelimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, thotë Haliti.

Xhavit Haliti – Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

“Unë mendoj që stopimi i njohjeve ka të bëjë edhe me moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, si dhe angazhimin kundërshtues të Serbisë e Rusisë për t’i penguar vendet e ndryshme që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Pamundësia e veprimit politik te diplomacisë parlamentare, (shif sa buxhet ka të ndarë për Diplomacinë Parlamentare), diplomacia jo kompetente dhe e pa aftë si pasojë e buxhetit tepër të kufizuar, diplomatët një pjesë e të cilëve gjatë gjithë mandatit të tyre janë marrë me çështje personale dhe më së shumti kanë marrë pjesë në ndonjë event shtetërorë të vendit pritës ose të Ambasadave, nëse i kanë ftuar”, thotë tutje ai.

Haliti ka folur edhe për Aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Aplikimi për anëtarësim në BE, është veprim i duhur, sepse zyrtarisht Kosova shprehet për dëshirën e sajë për t iu bashkuar , vendeve të BE. Shpresoj që të njëjtën kërkesë do ta bëjnë edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Dua të potencoj që marrëveshja e nënshkruar në Bruksel në mes të Kosovës e Serbisë e vitit 2013, obligon të dyja palët që mos ta pengojnë njëra tjetrën gjatë procesit të integrimit në BE”                 

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Shqip.com se politika e jashtme e Kosovës, ka qenë në një gjumë të thellë.

“Si rezultat, kemi ngecje të mëdha në diplomaci. Këtë e dëshmon më së miri, mungesa e njohjeve të reja të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kosova ka stagnuar plotësisht në këtë pjesë. Nuk kemi pasur asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, thotë Krasniqi për Shqip.com.

Por, Krasniqi e ka vlerësuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.

“Tani aplikimi për anëtarësim në KE dhe në BE, ishte veprim i duhur dhe i domosdoshëm. Ngjashëm do të vepronte secila parti që do të ishte në pushtet, ngaqë kemi rrethana të reja gjeopolitike në Ballkan dhe konsideroj se ndodhemi në një fazë të rëndësishme dhe të përshtatshme për të realizuar synimet si shtet, për çka duhet më tepër angazhim nga ana e institucioneve të vendit, për të përmbushur këto objektiva”, thotë ajo.

Rrezarta Krasniqi – Deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Sipas Krasniqit, roli i diplomacisë nuk është për t’u shndërruar në spektator të zhvillimeve.

“Diplomacia kosovare duhet të punojë me një agjendë dhe strategji, çka ka munguar deri më tani nga kjo qeveri. Roli i diplomacisë nuk është për t’u shndërruar në spektator të zhvillimeve, por për të vepruar, lobuar dhe faktorizuar vendin në arenën ndërkombëtare. Kosova nuk mund të bëhet faktor, pa anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, për çka duhet të ketë angazhim më të madh në vitin që po hymë në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Po ashtu, nuk duhet të mungojë angazhimi nga diplomatët tanë për të siguruar njohje të reja të vendit”.

Kosova njohjen e fundit e mori ana e Izraelit më 4 shtator të vitit 2020. Që nga ajo kohë, vendi ynë nuk ka marrë më njohje të reja.

Për këtë deputetja Krasniqi thotë se nuk është lobuar për njohje të reja, prandaj edhe nuk ka pasur progres në këtë çështje.

Një lëvizje e vogël konsiderohet vendosja e shërbimeve konsullore të Ambasadës së Kosovës në Bangladesh.

Por, ndryshe mendon deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi që udhëheq me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

“Politika e Jashtme gjatë vitit që po e lëmë pas, është karakterizuar me përgjigjet dhe veprimet për të ndihmuar pozicionin e Kosovës në raport me zhvillimet e reja që janë rezultat i agresionit rus, por mbi të gjitha Ministria është fokusuar në reformimin e brendshëm dhe rrjedhimisht nuk kemi avansim në njohje të reja. Gjithashtu kemi të bëjmë me një situatë të një mungese të një koordinimi të akterëve të politikës së jashtme. Kam kërkuar në vazhdimësi që të kemi diskutim të brendshëm, por nuk kanë ndodhur”, thotë Abazi.

Haki Abazi – Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje

Sipas Abazit, liberalizimi i vizave është proces i stërzgjatur e diskriminues për qytetarët e këtij vendi.

“Mendoj që në vitin 2023, duhet të kemi një ndryshim në qasjen ndaj politikës së jashtme sidomos në koordinimin e brendshëm. Njëra ndër çështjet kryesore që e kam ngritur është ndarja e agjendës integruese e Kosovës nga dialogu me Serbinë sepse Serbia për 10 vjet po e mban pengë agjendën e Kosovës”, ka thënë Abazi për Shqip.com.

Një prej sfidave kryesore për Politikën e Jashtme, ka qenë edhe procesi i dialogut me Serbinë.

Kosova dhe Serbia gjatë vitit 2022 arritën të nënshkruajnë dy marrëveshje, atë për energjinë dhe për targat ilegale, si dhe gjetën një zgjidhje për kalimet e njerëzve vetëm me letërnjoftime.

Këto dy marrëveshje u kundërshtuan ashpër nga opozita, ndërsa u konsideruan si merita nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Më 15 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe zyrtarisht i dorëzoi Presidencës Çeke, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në union, atëherë kur kryesimin e Presidencës së BE-së do ta marrë Suedia, në janar të vitit 2023.

Oferta do të duhet të shqyrtohet me kujdes pasi është një çështje e ndjeshme për shumë shtete anëtare, vlerësojnë njohësit e kësaj çështje.

Pesë nga 27 shtete të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën dhe vazhdojnë të kundërshtojnë ndryshimin e qëndrimit të tyre.

Kosova muaj më parë ka aplikuar për t’u bërë pjesë edhe e Këshillit të Evropës, derisa ende nuk dihet se kur do të shqyrtohet kërkesa.

/Shqip.com