Sport Shqiptar

Kosova kërkon fitore ndaj Bjellorusisë

Trajneri i Kosovës në futboll, Alain Giresse ka folur në lidhje me përballjen e nesërme ndaj Bjellorusisë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian, që do të mbahet në vitin e ardhshëm në Gjermani.

Ndeshja në mes të Bjellorusisë dhe Kosovës luhet të hënën në Budapest të Hungarisë. Nikoqire e takimit që nis në ora 20:45 është Bjellorusia. Ndeshja do të luhet pa shikues, sipas vendimit të mëhershëm të UEFA-s.

Giresse insiston se Kosova synon t’i fitoj pikët e plota ndaj bjellorusëve duke dominuar në fushë.

“Kemi analizuar lojën e Bjellorusisë, ashtu siç besoj se edhe bjellorusët kanë vepruar njëjtë. Kemi analizuar në veçanti lojën e fundit të tyre ndaj Izraelit. Por jo gjithnjë duhet ne t’u përshtatemi kundërshtarëve. Ne duhet t’i detyrojmë ata që të përshtaten në lojën e tonë. Pra, ne duhet t’ua imponojmë lojën tonë. Qëllimi është të dominojmë në ndeshjen ndaj Bjellorusisë”, ka thënë Giresse të dielën në konferencën për media.

Pikët për “Dardanët” janë të domosdoshme, sidomos pas dështimit ndaj Rumanisë të premten në “Fadil Vokrri”.

“Pjesën e parë e kemi luajtur në Prishtinë dhe shpresojmë tani të marrim rezultat pozitiv”, është shprehur Giresse.

/Shqip.com