Kulturë Kino

Kosova ka zgjedhur filmin që do të konkurrojë për edicionin e 95-të të “Oscars”

Filmi “Në kërkim të Venerës” me skenar dhe regji nga Norika Sefa, është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023.

Kjo u bë e ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Përveç rrugëtimit të suksesshëm në festivale, ‘Në kërkim të Venerës’ përfaqëson autenticitetin por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit. Në mënyrë të pashembullt filmi të bën të vëzhgosh nga distanca, përderisa në të njëjtën kohë të lidhë me secilin personazh. Ne besojmë se bota ka nevojë për filmbërës autentikë, dhe qasja e gjuha unike e Norika Sefës e bën filmin një kandidat të denjë për këtë garë.” u shpreh komiteti selektues i Kosovës përgjegjës për përzgjedhjen e kandidatit të Kosovës.

Sipas njoftimit, filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut.