Lajme

Kosova i strehon katër gazetarë afganë

Pasi Kosova u siguroi vend një numri të gazetarëve nga Ukrainë tashmë po e bën të njëjtën me disa gazetarë afganë.

Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad janë katër gazetarët afganë që kanë mbërritur sonte në Kosovë.

Ata janë strehuar në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”.

“Kolegët afganë u mirëpritën në aeroport nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se gazetarët afganë u mirëpritën një muaj pas vendimit të Qeverisë për strehimin e tyre në Kosovë.

“Gazetarëve do t’u sigurohet strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre” thuhet më tutje.

Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për gazetarët ukrainas dhe afganë mbështetet bujarisht edhe nga Iniciativa Hannah Arendt.

/Shqip.com