Lajme

“Kosova është Serbi”, gazetari shqiptar pengohet nga protestuesit serbë gjatë raportimit live

Gazetari shqiptar, Idro Seferi, duke raportuar për televizionin kroat, pengohet nga protestues serbë

Gazetari kosovar, Idro Seferi, është penguar nga disa protestues serbë gjatë raportimit të tij të drejtpërdrejt për televizionin kroat ‘RTL’, ku po fliste për situatën e krijuar sot në Veri të Kosovës, njofton Shqip.com.

Në disa pamje të shkëputura nga raportimi, të cilat i ka publikuar vetë Seferi në llogarinë e tij në Facebook, shihet se si është penguar nga protestuesit që po brohorisnin “Kosova është Serbi”.

Përveç fjalëve nacionaliste me të cilat ky grup protestuesish po iu drejtoheshin kamerës, nga të njëjtit nuk u pa rrezik që mund të shfaqej në ato momente.

Këto protesta në Beograd erdhën pas atyre në Veri të Mitrovicës, ku një numër i serbëve lokalë rezistuan ndaj aksionit të Policisë së Kosovës dhe Doganës kundër kontrabandimit me mallra.

Të njëjtit madje kanë shtënë me armë e kanë hedhur edhe granata dore.

 Si pasojë e situatës tensionuese të krijuar në veri këtë të mërkurë, dhjetë policë janë lënduar nga sulmet me mjete shpërthyese, por të sulmuar ishin edhe gazetarët.

Gjatë ditës është raportuar për një protestues serb të plagosur, por Policia ka thënë se nuk dihet nëse është qëlluar nga Policia apo nga të shtënat e serbëve tjerë që dolën për të ndaluar Policinë e Kosovës. /Shqip.com