Sport Shqiptar

Kosova e pret në përballje Rumaninë, pavarësisht paralajmërimeve për anulim të ndeshjeve

Vetëm pak ditë pas hedhjes së shortit për Euro 2024, kanë filluar polemikat mbi ndeshjet e Kosovës.

Në Rumani është duke u diskutuar mundësia që të mos luhet ndeshja kundër “Dardanëve”, por në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës, nuk ka ardhur asnjë njoftim.

Kryetari i FFK-s, Agim Ademi ka thënë për Shqip.com se nuk pret që të ketë probleme.

“Ne nuk kemi marr asnjë vendim zyrtar nga Federata e Rumanisë as nga shteti, por gjithsesi ne e dimë që nuk na njohin. Për sa i përket UEFA-s dhe FIFA-s, na njohin dhe kjo vlenë për të gjithë. Rumania nuk është paraqitur si shtet që nuk luan ndeshjen me Kosovën. Ky ka qenë shtet që është deklaruar për Kosovën, realisht besoj që gjithçka do të jetë në rregull, pasi këto janë rregullat e UEFA-s”.

Agim Ademi

Ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, Theodor Melescanu, deklaroi të hënën se kombëtarja e Edi Iordanescu, nuk duhet të pranojë të luajë kundër Kombëtares së Kosovës.

Nga ana tjetër Federata e Rumanisë e ka pranuar se do të ketë diskutime me përfaqësues të qeverisë për këtë temë.

Përveç me Rumaninë, të përzgjedhurit e Alain Giresse në rrugëtimin drejt Kampionatit Evropian, do të duhet të përballen edhe me dy vendet tjera mosnjohëse, Bjellorusinë dhe Andorrën.

I pari i federatës kosovare ka deklaruar Zvicra është favorite, por lufta për vendin e dytë do të jetë kundër Izraelit.

“Shorti është korrekt. Kemi ekipe me të cilat mund të luajmë. Besoj shumë në forcën e djemve tanë dhe kualitetin e tyre. Është një ekip që ka bërë përvojë duke marr pjesë në kampionate botërore e evropiane dhe tashmë në këtë kampionat presim rezultatin e plotë. Zvicra është e ranguar më lartë dhe dihet që është një kundërshtar më i fortë. Me Izraelin do të bëhet lufta. Mendoj që Izraeli është ai ekipi që jemi më të ngjashëm në kualitet dhe ata do të jenë rivalët tanë”.

Shorti i hedhur në Gjermani duket se ka favorizuar Kosovën.

Sipas, analistit të futbollit, Bylbyl Sokolit, në këtë grup nuk ka favorit.

“Kosova ka pasur shumë fat në short dhe njëkohësisht edhe në orarin e ndeshjeve. Favorit absolut nuk ka. Kosova ka ekip konkurrues dhe duhet të kërkoj kualifikimin!. Përveç Zvicrës, Izraeli është ekip me shumë cilësi, pastaj vjen Rumania. Zvicra është ekipi më cilësor në grup”, tha ai për Shqip.com

Kosova e fillon ciklin në udhëtim te Izraeli më 25 mars, në ndeshjen e dytë “Dardanët” presin në “Fadil Vokrri”, Andorrën, kurse me Zvicrën e Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit takohet më 16 shtator në Prishtinë.

/Shqip.com