Lajme

Kosova e nominon ambasadorin Bajrami monitorues të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit

Agron Bajrami

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë ka thënë se Kosova e ka nominuar ambasadorin në Bruksel, Agron Bajramin, për të udhëhequr Kosovën në grupin e përbashkët monitorues për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Kemi nominuar ambasadorin tonë në Bruksel, Agron Bajrami, i cili mendoj se është tejet mirë i informuar, është i përfshirë dhe i ka kapacitetet dhe shkathtësitë humane që ta përfaqësojë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme në këtë trup të përbashkët monitorues”, ka thënë Besnik Bislimi në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Tutje, ai foli edhe për atë se si po shkon puna për strukturimin e këtij trupi të përbashkët monitorues.

I dyti i qeverisë së Kosovës tha po ashtu se pas marrëveshjes së Ohrit, ka qenë dakordimi që në një afat të shkurtër kohor të zhvillohet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, i cili është mbajtur më 4 prill.

Sipas tij, e arritura e datës 4 prill ka qenë dakordimi për tekstin e dokumentit për personat e zhdukur me dhunë i cili do të aprovohet pastaj nga liderët në takimin e tyre të radhës.

“I kemi pasur edhe diskutimet e para për atë se si do të duhej të sekuensohet implementimi i pjesëve të marrëveshjes bazike. Duke qenë se në marrëveshjen bazike në do raste kemi pasur kërkesë për urgjencë ose hapa të menjëhershëm, ka qenë e kuptueshme që pjesa kryesore është fokusuar te marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë dhe po ashtu jemi dakorduar që shumë shpejt në Bruksel të kemi prezantimin e parë të draftit të grupit menaxhues për vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë”, tha Bislimi.

/Shqip.com