Lajme

Kosova do t’i dhurojë Medalje Presidenciale presidentit Biden për djalin e ndjerë

Presidenti amerikan, Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë me video-mesazh për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në një ceremoni që do të organizohet të dielën e 1 gushtit, Kosova do të ndajë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Beau Biden, të birin e Presidentit amerikan, Joe Biden.

Siç ka njoftuar Osmani, medalja do t’i ndahet për kontributin e tij fushën e Sundimit të Ligjit gjatë shërbimit të tij në Kosovë, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, ajo është shprehur e nderuar që do të ketë mundësinë të ndajë këtë medalje për të ndjerin Beau Biden, e cila sipas saj, i dedikohet edhe shumë grave e burrave që shërbyen në Kosovë e që erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëpërmjet një letre që i kam dërguar para disa kohësh, i kam propozuar Presidentit Biden që të na drejtohet nëpërmjet një video adresimi në këtë ceremoni. Jam e nderuar që sot mund të ndajë me ju një pjesë të kësaj videoje, e cila të dielën do të publikohet e plotë dhe me përkthim”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se ky adresim “dëshmon raportet speciale e të palëkundura ndërmjet dy vendeve tona”.

“Jemi të bekuar me aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Beau Biden ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

Ndërsa, kjo është hera e dytë që Kosova nderon atë.

Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel./SHQIP.com