Lajme

Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE para fundit të vitit

Kosova edhe zyrtarisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti.

Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e Komisionit Ekzekutiv për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt sot takimi i parë i Komisionit Ekzekutiv për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën gjeopolitike dhe zhvillimet tjera relevante. Komisioni konfirmoi përkushtimin dhe orientimin e vendit për integrim evropian dhe miratoi qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti” thuhet në njoftim.

Ky komision ishte themeluar në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe funksionon si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

/Shqip.com