Lajme

Kosova dhe Sllovenia bëhen me ulëse të miqësisë, Osmani: Do të punojmë që të kemi një ulëse edhe në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

Kosova dhe Sllovenia nga tani e tutje do ta kenë një ulëse të miqësisë.

Përurimi i ulëses është bërë në parkun e Kështjellës Kromberk në Nova Goricë, si shenjë miqësie ndërmjet dy shteteve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kjo ulëse do të shërbejë si sinonim i miqësisë së palëkundur ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Miqësitë e veçanta në mes të njerëzve, popujve e shteteve gjithnjë e gjejnë mënyrën për t’u përjetësuar. Një ulëse e përuruar së bashku me presidentin Pahor në parkun e Kështjellës Kromberk në Nova Goricë është tashmë simbol i miqësisë së fortë ndërmjet Kosovës e Sllovenisë, e cila daton prej viteve të 90-ta. Kjo ulëse do të shërbejë përherë si sinonim i miqësisë së palëkundur në mes të vendeve tona, teksa shqiptarët që jetojnë në këtë komunë do të jenë gjithnjë urë lidhëse ndërmjet dy popujve tanë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ulësja e miqësisë mes Kosovës dhe Shqipërisë

Osmani tha se do të punojnë shumë, që Kosova së shpejti të bëhet edhe me një ulëse në Bashkimin Evropian.

“Në po të njëjtën frymë që promovon sot kjo ulëse e miqësisë, do të punojmë fort që Kosova krahas Sllovenisë së shpejti ta ketë një ulëse edhe në BE, ku së bashku do t’i përfaqësojmë vlerat e përbashkëta evropiane”, ka shkruar tutje ajo.

Këtë të hënë, Osmani ka zhvilluar një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Sllovenisë, Ljubjanë, ku është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologu slloven Borut Pahor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

Nga atje, Osmani ka thënë se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.

Sipas saj, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen./Shqip.com