Sport Shqiptar

Kosova deklason Burkina Fason

Kosova ka arritur një fitore të thellë në miqësoren përballë Burkina Fasos.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë përfundoi me rezultat 5:0.

Nën urdhrat e trajnerit të ri, Alain Giresse, “Dardanët arritën të shënojnë dy gola që në pjesën e parë.

Fillimisht Kosovës ia dha epërsinë Fidan Aliti, pasi shënoi vetëm katër minuta pas fillimit të ndeshjes.

Kurse epërsinë e dyfishoi, Astrit Selmani, i cili me një goditje të bukur e shënoi golin e parë me fanellën e Kosovës.

Edhe pjesën e dytë Kosova e filloi më mirë ndeshjen.

Për 3:0 shënoi Mërgim Vojvoda në minutën e 53-të, pas një asistimi të Milot Rashicës.

Burkina Faso pati mundësi ideale ta ngushtoj rezultatin, por nga pika e bardhë golin mysafirëve ia mohoi Samir Ujkani.

Pas asistimit për Vojvodën, Rashica këtë herë e gjeti vetë rrjetën për 4:0.

Ishte Toni Domgjoni që u përkujdes për rezultatin përfundimtar 5:0.

Kosova ndeshjen e radhës e ka kundër Zvicrës, të martën, me fillim nga ora 18:00./Shqip.com