Lajme

Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se Republika e Kosovës është bërë anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Sipas njoftimit të ministrisë në Facebook, sot, zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli kanë dorëzuar instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës  në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë.

Kjo shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës  për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare,  zëvendësministri, z. Ahmeti, falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Ahmeti ka falënderuar zyrtarët e pranishëm të ICMP për angazhimin dhe kontributin e tyre shembullor në Kosovë për më shumë se dy dekada.

“Z. Ahmeti njëherësh përsëriti përkushtimin e Republikës së Kosovës në promovimin dhe avancimin e rolit të kësaj organizate të  shprehur në takimin me Drejtoren Ekzekutive të Komisionit, z. Kathryne Bomberger, të mbajtur më 22 Maj të këtij viti, me ç ‘rast Komisioni ishte njoftuar për hapat që Republika e Kosovës kishte ndërmarr për t’u bërë pjesë e kësaj organizate”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje në njoftimin e Ministrisë sqarohet se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndër-qeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal etj.

Komisioni ka selinë në Mbretërinë e Holandës, në qytetin e Hagës, dhe është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit.

Në prill të këtij vitit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është arritur dakordimi për deklaratën për personat e zhdukur në Kosovë.

Kur lufta e fundit në Kosovë 1998-1999 përfundoi, gjithsej 6,044 persona u regjistruan si të zhdukur. Pak më shumë se 23 vjet më vonë, më shumë se 1,600 prej tyre, kryesisht shqiptarë etnikë, por edhe serbë dhe romë, ende nuk janë gjetur.

/Shqip.com