Kulturë

Koreografët e Kosovës protestojnë kundër “zhvlerësimeve” që Ministri Çeku u kishte bërë

Në Ditën Botërore të Vallëzimit koreografët e diplomuar nga Kosova organizojnë protestë.

Me moton “Këtu jemi”, koreografët i kundërpërgjigjen deklaratave të fundit të ministrit Hajrulla Çeku, i cili ditë më parë kishte thënë se Kosova nuk ka kuadro me shkollim të lartë në fushën e koreografisë.

MInistri i kulturës,në një media vendore, në lidhje me përzgjedhjen e drejtuesit të ri të BKK-së, thotë se niveli i arsimit në Kosovë nuk është superior dhe se për këtë çështje u kërkua sqarim nga Avokati i Popullit.

Çeku tha se sipas avokatit, shkalla e fundit e edukimit është shkolla e mesme dhe përvoja profesionale.

“Avokati i popullit ka thënë që shkalla e fundit e edukimit e shkollimit në Kosovë është shkolla e Mesme dhe pjesa tjetër e përvojës profesionale mund të përkthehet ose mund të jetë ekuivalente edhe me shkollimin universitar në balet”, kishte thënë Çeku në një intervistë.

Sipas koreografit Robert Nuha, ky është zhvlerësim i punës së koreografëve dhe edukimit të  lartë universitar që koreografët kosovarë kanë.

 “Në opinionin tim dhe jo vetëm, së pari   këtu vërehet tendenca për të arsyetuar hapsirën që i ka dhënë një personi me edukim të mesëm në koreografi të jetë pjesë e konkursit e gjithashtu ta fitoj atë,së dyti zhvlerësohet edukimi i lartë universitar i cili është ai i Koreografisë e që në Kosovë jemi afërsisht 12 koreofraf që kemi mbaru studimet jashtë vendit”, pohoi Nuha për Shqip.com

Tutje, ai theksoj se deklarata e ministrit është e papranueshëm dhe gjithashtu e rrezikshme si tendencë për të ardhmen e edukimit.

Për deklaratën e Çekut, që Kosova nuk ka drejtime të tilla dhe se duhet të themelohet drejtimi i Baletit dhe Koreografisë, Nuha tha se prapë koreografët në sytë e institucioneve ngjajnë si të “padukshëm”.

“Ne jemi të indinjuar nga ky fakt, nga kjo neglizhencë e kah motshme ndaj ekspertizës tonë e kulmuar me deklarata fyese në të kaluarën nga njerëz me pozicion e që përsëriten si mendësi të cilën nuk duam të lejojmë të kthehet në Sistem në vendin tonë, prandaj kemi reaguar në të kaluarën e reagojmë tash dhe do vazhdojmë edhe në të ardhmen deri sa Koncepti i Shkollimit të llogaritet si vlerë dhe të vlerësohet për atë që është e s’mund ta ndryshojë askush”, u shpreh Nuha.

Profesioni i koreografit në Kosovë, sipas Nuhës, është sfidë e përditshme në kontekstin e kërkimit të gjuhës shprehëse koreografike e gjithashtu përballjes së pothuajse të përditshme me parregullsi.

“Sfidë tjetër është pikërisht edukimi i brezave të ardhshëm të cilët duan dhe meritojnë hapësirën e tyre në skenën tonë artistike, në këtë mënyrë përveç se koreograf e profesor shpesh-herë na bie që të marrim përsipër të tilla beteja për dinjitet e integritet personal e profesional me qëllim që studentët e kërcimtarët të mos demotivohen por t’u krijohen rrethana më të mira për jetën e të ardhmen e tyre në vendin tonë”, u shpreh Nuha.

Protesta do të organizohet më 29 prill në orën 10:00.

Pjesëmarrës do të jenë një grup i koreografëve të diplomuar, ndërkaq përformanca e kërcimtareve profesionist, studentëve e koreografëve profesionist do të jetë një formë e shprehjes së pakënaqësive të lartë cekura.

Kjo është protesta e parë që koreografët e Kosovës realizojnë për të shprehur pakënaqësitë ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./Shqip.com