Lajme

Korenica: Kurti ma kërkoi dorëheqjen, unë nuk pranova dhe më shkarkuan

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, ka thënë se e ka pasur një takim me kryetarin Kurti, ku fillimisht i është kërkuar dorëheqja nga pozita e koordinatorit të Qendrës në Rahovec, për shkak të qëndrimit ndaj Kodit të ri Civil.

Korenica thekson se pasi nuk ka pranuar dorëheqjen, në muajin prill, pas mosvotimit të Kodit Civil i është komunikuar me email se është shkarkuar nga  pozita e koordinatorit të Qendrës së LVV-së në Rahovec.

“Shkarkimi ka ndodh në muajin prill pas mosvotimit të Kodit Civil nga ana ime. Prej muajit prill e deri para emërimit të koordinatorit të ri, nuk e kam parë të arsyeshme të flasë për këtë. Mua më është komunikuar vendimi me email, se kryesia e VV-së ka marrë vendim për me ju liru nga pozicioni i koordinatorit, ju faleminderit për kontributin tuaj deri tashmë.

Emaili më ka ardh në muajin prill, pas votimit të Kodit Civil. E kam pas një kontakt me kreun e VV-së dhe udhëheqësit e Levizjes ku më është komunikuar drejtpërdrejt arsyeja e shkarkimit, në fakt kërkesa për dorëheqje, pastaj pas mospranimit tim, më dërgojnë email që më kanë shkarkuar. Qëllimi kryesor është mosvotimi i Kodit Civil”, tha Korenica në T7.

Tutje, deputeti Korenica thotë se përveç tij, janë edhe dy persona që kanë pasur pozicione drejtuese në Vetëvendosje, e që janë distancuar nga partia.

/Shqip.com