Lajme Botë

Koreja e Veriut refuzon rreth 3 milionë vaksina anti-COVID

Koreja e Veriut ka refuzuar rreth tre milionë vaksina kundër Coronavirusit që iu ofruan dhe ka kërkuar që ato të dërgohen diku tjetër, transmeton Shqip.com.

Këtë e bëri të ditur një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili tha se shteti komunist ka kërkuar që vaksinat të zhvendoseshin në vendet më të goditura nga pandemia.

Programi COVAX i OBSH-së i kishte ofruar vendit vaksina kineze Sinovac, por që sipas tyre, nga OBSH-ja që nga 19 gushti nuk ka regjistruar asnjë rast pozitiv me COVID-19, raporton BBC.

Rreth 37 mijë e 291 njerëz, duke përfshirë punonjësit shëndetësor, ishin testuar dhe të gjithë kishin dalë negativë, tha OBSH në raportin javor.

Ndryshe, Koreja e Veriut ka vendosur masa të rrepta kundër Coronavirusit që nga fillimi i pandemisë dhe ishte njëri nga vendet e para që mbylli kufijtë në janarin e vitit të kaluar.

Por, kjo nuk është hera e vetme kur vendi refuzon vaksinat, pasi që në korrik, Koreja hodhi poshtë rreth dy milionë doza të AstraZenecas, duke shprehur shqetësimet për efektet anësore të mundshme. /Shqip.com