Lajme

Koorporata hap thirrjen për Palasën, privati merr tokë për hotele në këmbim të objekteve publike

Korporata e Investimeve Shqiptare ka hapur procedurën ndërkombëtare për projektin “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë”, një marrëveshje që lidh zhvillimin e dy hoteleve në prona shtetërore në Palasë dhe Dhërmi me ndërtimin e një kompleksi të ri publik pranë rreth-rrotullimit të Palasës.

Skema parashikon që investitori privat të projektojë dhe ndërtojë dy struktura akomoduese në bregdet.

Në këmbim, ai do të financojë objektet publike të projektit dhe do t’i kalojë Korporatës një pjesë të sipërfaqes së zhvilluar. Kontrata është konceptuar si sipërmarrje dhe përfshin tri zona të veçanta: një zonë për funksione publike dhe dy zona për zhvillim hotelerie e shërbimesh turistike.

Zona publike pranë rrethrrotullimit të Palasës

Zona 1 ndodhet pranë rrethrrotullimit të Palasës, në pikën ku aksi kryesor lidhet me rrugën e re drejt Drimadhës dhe Dhërmiut. Prona është regjistruar në Zonën Kadastrale 2863, me numër pasurie 29/84 dhe sipërfaqe rreth 54,391 metra katrorë.

Ajo është përcaktuar me vendim të qeverisë si pronë e përshtatshme për zhvillimin e komponentit publik të projektit. Pjesa e propozuar për ndërtim pozicionohet në anën e majtë të aksit rrugor, me synimin që strukturat e reja të kenë dalje të shpejtë drejt Palasës, Drimadhës, Dhërmiut dhe rrugëve kryesore të zonës. Vendndodhja shihet si e favorshme për shërbimet operative dhe emergjente, për shkak të nevojës për hyrje-dalje të drejtpërdrejta të policisë, zjarrfikësve, ambulancave dhe mjeteve të tjera të shërbimit.

Qendra e re do të përfshijë Stacionin e Policisë në Palasë, Stacionin e Policisë Kufitare të Dhërmiut, ambiente për Gardën e Republikës, një strukturë zjarrfikëse dhe shërbime shëndetësore bazë e emergjence. Programi orientues parashikon rreth 900 metra katrorë për strukturat policore, 730 metra katrorë për Gardën, 170 metra katrorë për zjarrfikësit dhe deri në 217 metra katrorë për shërbimin shëndetësor.

Zhvillimi i hotelerisë në Palasë dhe Dhërmi

Zona 2 përfshin pronën nr. 68/119/15 në Palasë, në Zonën Kadastrale 1739, me sipërfaqe 2,555 metra katrorë. Prona lidhet me funksionet ekzistuese të Stacionit të Policisë në Palasë dhe është transferuar në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare për t’u përfshirë në projekt. Konkurrentët duhet të paraqesin një koncept arkitekturor dhe funksional me fokus te hoteleria dhe shërbimet e lidhura me turizmin.

Me intensitet orientues zhvillimi prej 1.4, sipërfaqja maksimale e projektuar në këtë pronë llogaritet në rreth 3,577 metra katrorë.

Strukturë akomoduese në pronën e Pikës Kufitare Zona 3 përfshin pronën e Pikës Kufitare të Dhërmiut, e vendosur në vijën bregdetare të fshatit. Prona përdoret aktualisht nga Policia Kufitare për funksione administrative dhe operacionale të kontrollit kufitar detar. Ajo përbëhet nga një truall prej rreth 1,500 metrash katrorë dhe një ndërtesë ekzistuese prej rreth 312 metrash katrorë.

Sipas dokumenteve të procedurës, objekti aktual nuk përfaqëson një zhvillim të optimizuar në raport me potencialin ekonomik të vendndodhjes. Zona karakterizohet nga prani e lartë e strukturave akomoduese, shërbimeve turistike dhe fluksit sezonal të vizitorëve. Investitorëve u kërkohet të propozojnë një zhvillim hotelerie që të integrohet me vijën bregdetare, peizazhin dhe ndërtimet përreth. Sipërfaqja maksimale orientuese e zhvillimit në Dhërmi është rreth 2,100 metra katrorë.

Pragu minimal prej 35%

Investitori privat duhet t’i ofrojë Korporatës të paktën 35% të sipërfaqes totale të zhvilluar në secilën strukturë akomoduese. Kandidatët do të mund të ofrojnë një përqindje më të lartë dhe oferta më e favorshme për Korporatën do të ketë peshë në përzgjedhjen e fituesit.

Pjesa që i takon Koorporatës në dy strukturat akomoduese do të përdoret si kundërvlerë për ndërtimin e Qendrës së Shërbimeve Publike.

Me kërkesë të Korporatës, partneri privat do të duhet të zhvillojë objektet publike në Palasë në këmbim të pjesës së shtetit në projektet hotelierike. Privati do të mbulojë edhe kostot e projektimit, taksat, tarifat, lejet, mbikëqyrjen e punimeve dhe regjistrimin e objekteve të reja.

Përzgjedhja në dy faza

Procedura do të zhvillohet në dy faza. Fillimisht, aplikantët duhet të dorëzojnë një masterplan, tri projekt-ide arkitekturore dhe dokumentacionin që provon kapacitetet e tyre financiare dhe teknike. Pesë kandidatët më të vlerësuar do të kalojnë në fazën e dytë, ku projektet arkitekturore do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare dhe do të hapen ofertat financiare. Kandidatët duhet të demonstrojnë akses në të paktën 7 milionë euro burime financiare për realizimin e projektit. Aplikimet duhet të dorëzohen deri më 10 shtator 2026, ora 15:00.

©Shqip.com